Spondiloza

Çfarë është ajo?

Spondiloza është një gjendje që prek kryesisht shtyllën kurrizore, duke shkaktuar degjenerimin e saj. Zakonisht përfshin disqet, ligamentet dhe nyjet, dhe njihet edhe si osteoartriti i shtyllës kurrizore. Është një gjendje e zakonshme që shpesh lidhet me plakjen. Spondiloza mund të prekë pjesë të ndryshme të shtyllës kurrizore, duke përfshirë regjionin cervikal (qafës), torakal (mesin e shpinës, kraharorin) dhe regjionin lumbal (në pjesën e poshtme të shpinës, belin). Secila prej këtyre ragjioneve mund të ketë simptoma dhe mundësi të ndryshme trajtimi.

Simptomat

Spondiloza e qafës zakonisht shkakton dhimbje në qafë, ngurtësi dhe ndonjëherë dhimbje që rrezaton në krahë ose duar. Mund të ketë gjithashtu mpirje ose dobësi në krahë ose duar. Spondiloza torakale është më pak e zakonshme, por mund të shkaktojë dhimbje në mes të shpinës dhe ngurtësi. Spondiloza lumbale është lloji më i zakonshëm, që shkakton dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës, ngurtësim dhe nganjëherë rrezatimin e dhimbjeve në këmbë. Mund të ketë gjithashtu mpirje ose dobësi në këmbë.

Diagnoza

Diagnoza e spondilozës zakonisht përfshin një ekzaminim fizik dhe një histori mjekësore. Mjeku pyet për simptomat dhe do të kryejë një ekzaminim fizik për të kontrolluar dhimbjen, fleksibilitetin, gamën e lëvizjes dhe funksionin neurologjik. Testet imazherike si rrezet X, MRI ose skanimet CT mund të përdoren për të kontrolluar ashpërsinë e gjendjes dhe përfshirjen e diskut ose nervit. Elektromiografia (EMG) ose studimet e përçueshmërisë nervore mund të përdoren për të vlerësuar aktivitetin elektrik në nerva dhe muskuj.

Mjekimi

Trajtimi i spondilozës varet nga ashpërsia dhe vendndodhja e gjendjes. Trajtimet jo-kirurgjikale përfshijnë terapi fizikale, stërvitje dhe medikamente (anti-inflamatore, relaksues muskujsh ose analgetikë). Injeksionet epidurale, ose injeksione steroide që aplikohen në hapësirën epidurale, zonë kjo midis mbështjellësit mbrojtës të palcës kurrizore (dura mater) dhe pjesës së brendshme të kanalit kurrizor kockor, gjithashtu mund të ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe lehtësimin e dhimbjes.

Opsionet kirurgjikale indikohen në rastet e dhimbjeve të forta, të vazhdueshme ose të dëmtimit të rëndësishëm neurologjik. Opsionet përfshijnë operacionin e dekompresionit, fusionin e shtyllës kurrizore ose zëvendësimin e diskut, varësisht nga patologjia themelore dhe niveli i prekur i shtyllës kurrizore.

Spondiloza është një gjendje kronike dhe menaxhimi fokusohet në lehtësimin e simptomave dhe ruajtjen e funksionalitetit. Edukimi i pacientit për qëndrimin e duhur, ergonominë dhe stërvitjen e rregullt është thelbësor. Mund të jetë e nevojshme ndjekja afatgjate, veçanërisht në rastet me përfshirje neurologjike.