Spina bifida
Çfarë është ajo?
Spina bifida do të thotë “shpinë e hapur”. Normalisht, shtylla kurrizore mbron palcën kurrizore, e cila është një tufë nervash që kalon në mes të shpinës. Spina bifida ndodh kur palca kurrizore ose kockat në shtyllën kurrizore nuk formohen siç duhet, duke lënë një boshllëk ose hapje. Spina bifida mund të ndodhë kudo përgjatë shtyllës kurrizore. Është lloji më i zakonshëm i defektit të tubit nervor dhe mund të ndikojë në zhvillimin e trurit, shtyllës kurrizore, palcës kurrizore dhe meningjeve të foshnjës. Katër llojet e spina bifida janë:
- Spina bifida occulta (e quajtur edhe spina bifida e fshehur). Kjo është forma më e lehtë dhe më e zakonshme, ku palca kurrizore dhe nervat qëndrojnë në vend dhe nuk janë të dëmtuara.
- Defekt i mbyllur i tubit nervor. Tek pacientët që kanë këtë gjendje, indi yndyror, kocka ose meningjet rreth palcës kurrizore nuk formohen siç duhet. Kjo mund të dëmtojë nervat në palcën kurrizore.
- Meningocelet. Kjo është forma më e rrallë e spina bifida. Në këtë gjendje, meningjet nxirren jashtë përmes një hapjeje në shtyllën kurrizore, duke krijuar një qese të mbushur me lëng të quajtur meningocele.
- Mielomeningocele, e quajtur edhe si spina bifida e hapur, është forma më e rëndë e spina bifida. Në këtë gjendje, një pjesë e palcës kurrizore shtyhet jashtë me meningjet përmes hapjes në shtyllën kurrizore për të formuar qesen në shpinën e foshnjës. Palca kurrizore dhe nervat aty pranë zakonisht janë të dëmtuara.
Simptomat
Spina bifida mund të shkaktojë disa probleme shëndetësore, duke përfshirë:
- Probleme me zorrët
- Malformimi Chiari II – gjendje ndodh kur pjesa e poshtme e trurit gjendet në pjesën e sipërme të qafës. Foshnjat që kanë këtë gjendje zakonisht kanë mielomeningocele. Disa foshnja gjithashtu kanë hidrocefalus (akumulim të lëngjeve në tru), dobësi ose ngurtësi në krahë dhe duar, probleme me ushqyerjen, frymëmarrjen ose gëlltitjen
- Hidrocefalus – lëngu i tepërt në kokë mund të shkaktojë ënjtje dhe presion mbi trurin
- Aftësi të kufizuara intelektuale dhe zhvillimore
- Meningjiti – infeksion që shkakton ënjtje në tru dhe në palcën kurrizore
- Dobësi muskulore dhe dhimbje në kyçe
- Paralizë, njerëzit që kanë spina bifida në pjesën e sipërme të shtyllës kurrizore mund të kenë këmbë ose shputa të paralizuara
- Probleme me lëkurën, njerëzit që kanë spina bifida mund të zhvillojnë plagë, kallo, flluska dhe djegie në këmbë, kyçe dhe ije
- Palca kurrizore e lidhur, normalisht, fundi i palcës kurrizore noton lirshëm në kanalin kurrizor (hapësira e zbrazët rreth palcës kurrizore). Nëse kordoni i kërthizës ngjitet (lidhet) me kanalin kurrizor, kordoni zgjatet ashtu si rritet fëmija. Zgjatja mund të shkaktojë dëmtim nervor në shtyllën kurrizore.
- Infeksionet e traktit urinar
Diagnoza
Mjekët mund të diagnostikojnë shumicën e llojeve të spina bifida gjatë shtatzënisë ose pas lindjes së foshnjës. Diagnostifikimi i spina bifida gjatë shtatzënisë përfshin:
analizat e gjakut të nënës
- amniocenteza, testi për të kontrolluar lëngun amniotik të marrë nga rrethi i foshnjës për defekte të lindura si p.sh. defekte të tubit nervor.
- Ultratingulli. Ky test përdor valët e zërit dhe një ekran kompjuteri për të treguar foton e foshnjës. Mjeku mund të shohë spina bifida me këtë test.
Diagnostifikimi i spina bifida pas lindjes së foshnjës:
- Në shumicën e rasteve, shfaqja e spina bifida është e dukshme menjëherë pas lindjes së fëmijës. Mjekët mund të përdorin një nga këto teste për të marrë një pamje më të qartë të shtyllës kurrizore të foshnjës: tomografi e kompjuterizuar (CT), rezonancë magnetike (MRI) dhe radiografi me rreze X.
Mjekimi
Tek foshnjat me spina bifida, nervat dhe membranat mund të “rrëshqasin” përmes hapjes në shtyllën kurrizore dhe të formojnë qese, e cila dëmton nervat dhe mund të çojë në infeksione serioze, kështu që foshnja zakonisht do të pësojë intervenim kirugjikal për të riparuar shtyllën kurrizore menjëherë brenda 48 orëve nga lindja. Gjatë operacionit, kirurgu do të vendosë palcën kurrizore dhe çdo ind ose nerv të ekspozuar përsëri në vendin e duhur. Hapja në shtyllën kurrizore pastaj mbyllet me muskuj dhe lëkurë. Edhe pse kjo do të riparojë defektin, nuk mund të kthejë asnjë dëmtim nervor.