Skolioza degjenerative
Çfarë është ajo?
Skolioza është çrregullim muskuloskeletor që ndikon në formën e shtyllës kurrizore. Ka lakime normale “para-prapa” të shtyllës kurrizore megjithatë, skolioza është një lakim nga njëra anë në tjetrën, dmth. lakim “majtas-djathtas”.
Skolioza degjenerative tek të rriturit zhvillohet për shkak të ndryshimeve degjenerative, dhe zakonisht shihet në pjesën lumbale të shpinës. Ndryshimet degjenerative në unazat dhe disqet intervertebrale janë të zakonshme me kalimin e moshës së personit. Megjithatë, kur këto ndryshime shkaktojnë një lakim nga e djathta në të majtë të shtyllës kurrizore, çrregullimi njihet si skolioza degjenerative e të rriturve. Skolioza degjenerative e të rriturve zakonisht prek njerëzit e moshës mbi 40 vjeçe. Tek pacientët e moshuar, kryesisht femra, shpesh shoqërohet me osteoporozë. Osteoartriti gjithashtu mund të jetë shkaktar i skoliozës degjenerative te të rriturit.
Simptomat
Skolioza degjenerative e të rriturve shfaqet më shpesh në pjesën lumbale të shtyllës kurrizore dhe shoqërohet me humbjen e kurbës normale lordotike në këtë ragjion. Simptomat e skoliozës së të rriturve për shkak të ndryshimeve degjenerative përfshijnë:
- Dhimbje në pjesën lumbale të shpinës
- Mpirje, dobësi dhe dhimbje në këmbë
- Paraqitje e një gunge në shpinë
- Ije dhe shpatulla të pabarabarta ( lartësi jo të barabartë)
Diagnoza
Për vlerësimin e pacientëve të rritur me skoliozë degjenerative përdorim si në vijim: historinë mjekësore të pacientit, ekzaminim fizik, radiografi me rreze X, skanim me CT ose MRI të shtyllës kurrizore, si dhe legenit dhe ijeve.
Mjekimi
Terapitë jokirurgjikale për skoliozën degjenerative përfshijnë:
- Terapi fizikale
- Medikamente anti-inflamatore
- Steroide
- Injeksione
Intervenimi kirurgjik i shtyllës kurrizore te të rriturit mund të rekomandohet kur, kurba e shtyllës kurrizore është më e madhe se 50 gradë dhe pacienti ka dëmtime nervore në këmbë ose ka prani të simptomave të zorrëve ose fshikëzës. Më së shpeshti intervenimi është me kirurgji dekompresive me fusion dhe ndërhyrje kirurgjikale nga pjesa e përparme dhe e pasme e shtyllës kurrizore.