Skolioza
Çfarë është ajo?
Skolioza është një lakim jonormal i shtyllës kurrizore nga njëra anë në tjetrën, me 10 gradë ose më shumë lakim. Skolioza zakonisht përshkruhet në dy mënyra: nga mosha në të cilën një person është prekur për herë të parë dhe shkaku themelor i lakimit.
Llojet e skoliozës në raport me moshën janë: infantile (nga lindja deri në 3 vjeç), e mitur (4-10 vjeç), adoleshente (mosha 11-18), e moshës madhore (mbi 18 vjeç).
Llojet e skoliozës në lidhje me shkaktarin janë: idiopatike (“nga shkaqe që nuk dihen”), degjenerative (“për shkak të konsumimit të indit”), kongjenitale (“i pranishme prej në lindje”), funksionale (kur shtylla kurrizore strukturalisht normale duket e lakuar për shkak të ndonjë sëmundjeje themelore “jo kurrizore”), strukturore (të shkaktuara nga sëmundja, lëndimi ose infeksioni i shtyllës kurrizore).
Simptomat
Skolioza ka shumë shkaqe të mundshme dhe simptomat e saj mund të ndryshojnë sipas shkakut:
- Skolioza kongjenitale, e cila është e pranishme që në lindje, mund të shkaktojë dobësi, mpirje ose ngathtësi nëse prek palcën kurrizore.
- Skolioza idiopatike, e cila zhvillohet pa ndonjë shkak të njohur, zakonisht nuk ka simptoma përveç ndryshimeve të dukshme posturale.
- Skolioza degjenerative, e cila rezulton nga konsumimi i disqeve dhe nyjeve të shtyllës kurrizore, ka të ngjarë të shkaktojë simptoma, të cilat mund të përfshijnë dhimbje shpine që përkeqësohet me uljen ose qëndrimin në këmbë si dhe mpirje dhe dobësi në njërën ose të dyja këmbët.
E zakonshme për të gjitha llojet e skoliozës është:
- Koka është jashtë qendrës në raport me pjesën tjetër të trupit
- Ka ndryshim në lartësinë e shpatullave dhe në lartësinë ose pozicionin e ijeve
- Ka ndryshim në mënyrën se si varen krahët pranë trupit kur qëndroni drejt
- Kur përkuleni përpara, diferenca në lartësi ndërmjet anëve të shpinës
Diagnoza
Për të konfirmuar diagnozën e skoliozës dhe për të matur shkallën e lakimit të shtyllës kurrizore, mjeku mund të urdhërojë radiografi me rreze X, rezonancë magnetike (MR) dhe tomografi të kompjuterizuar (CT).
Mjekimi
Llojet e ndryshme të skoliozës kanë qasje të ndryshme terapeutike:
- Skolioza idiopatike e adoleshentëve: Trajtim jooperativ mund të jetë një opsion për disa pacientë duke përfshirë terapi fizikale dhe ushtrime forcuese dhe shtrirëse. Nëse lakimi mat 50 shkallë ose më shumë në radiografinë me rreze X dhe mbajtja e protezës nuk është e suksesshme, atëherë vjen në konsiderim operacioni për ta korrigjuar deformimin e shtyllës kurrizore.
- Skolioza degjenerative: Terapitë jokirurgjikale për skoliozën degjenerative përfshijnë terapi fizikake, medikamente anti-inflamatore, steroide dhe injeksione. Intervenimi kirurgjik i shtyllës kurrizore mund të rekomandohet kur lakimi i shtyllës kurrizore është më i madhe se 50 shkallë dhe pacienti ka dëmtime nervore në këmbë ose ka simptoma lidhur me zorrët ose fshikëzën.
- Skolioza kongjenitale: Tek foshnjat me skoliozë kongjenitale nëse lakimi përparon atëherë bëhet intervenim kirurgjik i shtyllës. Vendimi për të bërë intervenimin kirurgjik tek skolioza kongjenitale më pak varet nga madhësia e lakimit, ndërsa më shumë nga shkaku i paraqitjes së saj dhe pritshmëria e përparimit.