Sindroma Cauda Equina

Çfarë është ajo?

Termi “Cauda equina” i referohet pakos sakulare të nervave dhe rrënjëve nervore poshtë palcës kurrizore në kanalin kurrizor lumbosakral, ngjeshja e së cilës çon në sindromën Cauda equina. Është një çrregullim i rrallë por serioz dhe shpesh kërkon urgjencën mjekësore, kryesisht për shkak të mosfunksionimit të fshikëzës urinare dhe zorrëve, madje edhe për shkak të paralizës së përhershme të muskujve të njërës ose të të dy këmbëve.

Sindroma Cauda equina zakonisht shkaktohet nga hernia diskale në pjesën lumbare të shtyllës kurrizore, e cila zakonisht paraqitet tek pacientët në moshë të shtyrë ose mund të shkaktohet nga një lëndim i shtyllës kurrizore, poashtu edhe nga trauma, tumor në shtyllën kurrizore, stenozë kurrizore ose edhe nga një infeksion i rëndë. Në raste të rralla, stenoza spinale dhe frakturat vertebrale si pasojë e osteoporozës mund të çojnë tek sindroma Cauda equina.

Simptomat

Sindroma Cauda equina mund të shkaktojë një sërë simptomash, duke përfshirë dhimbje të forta në pjesën e poshtme të shpinës, mosfunksionim të fshikëzës për mbajtjen ose mosmbajtjen e urinës, mosmbajtje të zorrëve, vështirësi në ecje, humbje ose reduktim i reflekseve dhe “anestezi në shalë” dmth. paaftësia për të ndjerë gjë në zonat e trupit me të cilat prek shalën atëherë kur do të ulej në të. Simptomat e sakta dhe pesha e tyre varen nga rrënjët e nervave të prekura dhe shkalla e shtypjes së tyre.

Diagnoza

Simptomat e sindromës Cauda equina mund të jenë të ngjashme me simptomat e disa gjendjeve të tjera, dhe mund të ndryshojnë në intensitet dhe të evoluojnë ngadalë me kalimin e kohës.

Nëse një pacient ka simptoma që lidhen me sindromën Cauda equina, për të konfirmuar diagnozën përdoren një inçizim me rezonancë magnetike (MRI) dhe mielogrami.

Trajtimi

Sindroma Cauda equina shpesh kërkon një operacion dekompresimi për të reduktuar presionin mbi nervat. Pas operacionit, kthimi i funksionit të fshikëzës urinare mund të zgjasë më shumë sesa kthimi i funkcionit të muskujve.