Shiatiku

Çfarë është ajo?

Shiatiku karakterizohet me dhimbje kur ka dëmtim ose presion në nervin shiatik. Nervi shiatik formohet nga rrënjët nervore që shtrihen nga palca kurrizore në pjesën e poshtme të shpinës, përgjat këmbëve e deri te shputa. Shkaktarët e dhimbjes së nervit shiatik ndër të tjera përfshijnë, hernien diskale, tumorin e shtyllës kurrizore, stenozën kurrizore dhe frakturën e legenit.

Simptomat

Simptomat e dhimbjes së nervit shiatik mund të përfshijnë dhimbje në shpinë, vithe, këmbë ose shputë. Ishiatiku gjithashtu mund të shkaktojë dobësim, ndjesi shpimi gjilpërash dhe mpirje në këmbë. Shpesh bëhet edhe më keq pas uljes. Në rastet shumë të avancuara të dhimbjes së nervit shiatik, simptomatologjia karakterizohet nga një nga këto:

  • Humbje e kontrollit të zorrëve ose fshikëzës
  • Dhimbje që përkeqësohet kur kolliteni ose teshtini
  • Mpirje ose dobësi në këmbë
  • Dhimbja nuk përmirësohet brenda disa javësh me pushim ose mjekim.

Diagnoza

Gjatë ekzaminimit fizik, mjeku do të kontrollojë forcën e muskujve dhe reflekset. Për shumë njerëz, dhimbjet e nervit shiatik përmirësohen me kalimin e kohës dhe simptomat largohen, megjithatë, njerëzit me dhimbje të forta ose dhimbje që nuk përmirësohen brenda disa javësh mund të kenë nevojë për radiografi me rreze X, MRI, CT dhe elektromiografi (EMG), për të përcaktuar shkakun e dhimbjes së nervit shiatik.

Mjekimi

Për dhimbjet që nuk përmirësohen me masat e vetë-kujdesit, trajtimet e mëposhtme mund të jenë të dobishme:

  • Medikamente (anti-inflamatore dhe kortikosteroide)
  • Terapi fizikale
  • Injeksione steroide

Nëse dhimbjet e nervit shiatik nuk i përgjigjen trajtimeve jokirurgjikale, operacioni për të trajtuar gjendjen themelore mjekësore mund të jetë alternativa më e mirë. Në varësi të asaj që e shkakton dhimbjen, kirurgu i shtyllës kurrizore mund të rekomandojë procedurat e mëposhtme, të vetme ose të kombinuara:

  • Diskektomi, ose mikrodisektomi, është procedurë minimalisht invazive për të hequr një pjesë nga disku i shtyllës kurrizore, nëse dhimbjet e nervit shiatik janë shkaktuar nga hernia diskale lumbale.
  • Laminektomi, procedurë me të cilën krijohet më shumë hapësirë për nervat duke hequr lamina (ose çatinë) e një ose më shumë unazave, nëse dhimbjet e nervit shiatik janë shkaktuar nga stenoza spinale lumbale.
  • Foraminotomi, procedurë për të hequr presionin nga një rrënjë nervore duke hequr një pjesë të vogël të kockës rreth rrënjës nervore të prekur.
  • Fusioni i shtyllës kurrizore, operacion në të cilin dy ose më shumë unaza bashkohen përgjithmonë.