Sëmundja degjenerative e diskut
Çfarë është ajo?
Degjenerimi i disqeve është proces natyror i plakjes, i cili karakterizohet me dehidratim ose tharje të materialit të diskut që zvogëlon fleksibilitetin dhe lartësinë e diskut. Për këtë arsye sëmundja degjenerative e diskut në të vërtetë edhe nuk është një sëmundje, por një term që përdoret për të përshkruar ndryshimet normale të disqeve përderisa një person plaket.
Simptomat
Disa nga simptomat më të zakonshme të sëmundjes degjenerative të diskut janë:
- Dhimbje në shpinë ose qafë.
- Dhimbje që përkeqësohet kur pacienti lëviz, si p.sh. kur përkulet, zgjatet lart ose përdridhet.
- Dhimbje që mund të shfaqet në prapanicë, krah ose këmbë nëse nervi adekuat është i shtypur.
- Mpirje ose ndjesi shpimi gjilpërash në krah ose këmbë.
Çrregullimi degjenerativ i diskut të qafës zakonisht karakterizohet nga dhimbje në qafë, ndërsa çrregullimi degjenerativ i diskut lumbal karakterizohet me dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës. Radikulopatia lumbale karakterizohet me dhimbje që rrjedh nga vithet dhe pjesa e poshtme e shpinës përgjat këmbës.
Diagnoza
Çrregullimet e disqeve cervikale dhe lumbale mund të diagnostifikohen me radiografi të thjeshtë dhe skanim CT, por MRI është alternativa më e mirë diagnostikuese për këto çrregullime. Tek pacientët me disqe degjenerative të shumta dhe me dhimbje, shpesh është e vështirë të dallosh se cili disk ose disqe janë gjeneruesit e dhimbjes.
Mjekimi
Trajtimi jokirurgjik i sëmundjes degjenerative të diskut synon të lehtësojë në mënyrë konservative dhimbjen e shpinës ose qafës të shkaktuar nga sëmundja degjenerative e diskut. Këto trajtime përfshijnë:
Terapia medikamentoze: barna anti-inflamatore josteroide, qetësues kundër dhimbjeve me recetë, relaksues muskujsh, kortikosteroide
Humbje peshe
Terapi fizikale
Injeksione terapeutike për sëmundjen degjenerative të diskut – injeksion epidural dhe blloqe nervore për shembull
Fusioni spinal është teknika kirurgjike më e mirë për reduktimin ose eliminimin e dhimbjes tek disqet degjenerative. Mund të bëhet me qasje posteriore me vida dhe shufra në shtyllën kurrizore dhe graftin kockor fqinj, ose me qasje anteriore duke hequr diskun dhe vendosjen e graft materialit në pjesën e përparme. Një nga pasojat afatgjate të fusionit të diskut mund të jetë degjenerimi i përshpejtuar i disqeve ngjitur.