Osteomieliti

Çfarë është ajo?

Osteomieliti është infeksion i kockave dhe mund të ndodhë në çdo kockë. Tek fëmijët, më i zakonshëm është në kockat e gjata të këmbëve dhe krahëve kurse tek të rriturit, osteomieliti më së shpeshti prek kockat e shtyllës kurrizore. Edhe pse është i rrallë, është një gjendje e rëndë. Osteomieliti ndodh kur një infeksion nga një pjesë tjetër e trupit përhapet përmes qarkullimit të gjakut në kockë. Gjithashtu, mund të ndodhë edhe në rastet e frakturave të hapura ose kirurgjisë së kockave. Infeksioni mund të shkaktohet nga bakteret, kërpudhat ose organizma të tjerë. Osteomieliti mund të jetë akut ose kronik.

Simptomat

Simptomat e lidhura me osteomielitin vertebral varen nga vendndodhja dhe ashpërsia e infeksionit. Mund të shfaqet ndonjë nga simptomat e mëposhtme:

  • Dhimbje në shpinë
  • Djersitje e tepruar
  • Ethe
  • Lodhje
  • Dhimbje, ënjtje, skuqje dhe ngrohtësi rreth zonës së infeksionit

Diagnoza

Osteomieliti vertebral është i vështirë për t’u diagnostikuar dhe mjeku mund të urdhërojë radiografi me rreze X, teste gjaku, MRI, skanim të kockave ose edhe biopsi për të kuptuar plotësisht gjendjen.

Mjekimi

Pas konfirmimit të diagnozës, trajtimi fillon me antibiotikë, të cilët mund të ndihmojnë në vënien nën kontroll të infeksionit dhe shpeshherë bëjnë të mundur shmangien e operacionit. Osteomieliti më i rëndë ose kronik kërkon intervenim kirurgjik për të hequr indin e infektuar. Kirurgjia e osteomielitit parandalon përhapjen e mëtejshme të infeksionit dhe rrezikimin e jetës së pacientit. Në raste të caktuara, kirurgut mund t’i duhet të kryejë fusion (bashkim) të kurrizit për të siguruar që shtylla kurrizore të jetë e qëndrueshme pas operacionit. Gjatë procedurës, kirurgu spinal mund të zëvendësojë kockën e infektuar me një të re dhe të lejojë që kockat të bashkohen së bashku (fusion).