Meningioma kurrizore

Çfarë është ajo?

Meningjet janë membranat mbrojtëse që mbështjellin trurin dhe palcën kurrizore. Meningjiomat janë zakonisht me rritje të ngadaltë dhe beninje, por në raste të rralla, ato mund të jenë malinje dhe të përhapen në indet e afërta. Meningiomat përbëjnë rreth 25% të të gjithë tumoreve që prekin kanalin kurrizor. Ato mund të lindin kudo përgjatë shtyllës kurrizore, por që zakonisht gjenden në rajonin e kraharorit. Meningioma e shtyllës kurrizore është më e zakonshme tek gratë sesa tek burrat, duke ndodhur afërsisht katër herë më shpesh. Megjithatë, meshkujt kanë më shumë gjasa të zhvillojnë një formë të rrallë malinje të meningiomës. Këto tumore zakonisht diagnostikohen rreth moshës 45 vjeç.

Simptomat

Meningioma kurrizore shkakton simptoma për shkak të rritjes së tumorit dhe që ushtron presion në palcën kurrizore ose nerva. Ashpërsia e këtyre simptomave varet nga vendndodhja e tumorit, e cila mund të rezultojë me mpirje ose dobësi në krahë ose këmbë, dhe vështirësi në punën e zorrëve, fshikëzës dhe disfunksion seksual. Simptomat përkeqësohen me rritjen e tumorit.

Diagnoza

Diagnostikimi imazherik luan një rol vendimtar në diagnostikimin e meningiomës. Skanimet me rezonancë magnetike (MR) ofrojnë informacion të detajuar mbi madhësinë, vendndodhjen dhe efektin e tumorit në strukturat përreth. Injeksioni i kontrastit me ngjyrë gjithashtu ndihmon në nxjerrjen në pah të indit të tumorit ndaj indit normal. Tomografia e kompjuterizuar (CT) është e dobishme për pacientët me pejsmejker ose pajisje tjera metalike që nuk mund t’i nënshtrohen rezonacës magnetike (MRI). CT përdor rrezet X dhe teknologjinë kompjuterike për të prodhuar imazhe të detajuara të eshtrave dhe indeve të buta. Depozitat e kalciumit, që gjenden zakonisht në meningioma, identifikohen më saktë nga skanimet CT.

Mjekimi

Nëse meningioma është e vogël dhe asimptomatike, vëzhgimi me kalimin e kohës mund të jetë një alternativë më e sigurt për heqjen kirurgjikale. Në rastet kur trajtimi është i nevojshëm, operacioni është zakonisht linja e parë e mbrojtjes. Meqenëse tumoret zakonisht janë beninje, heqja e plotë e tyre shpesh çon edhe te shërimi i plotë. Megjithatë, disa tumore mund të jenë sfiduese për t’u hequr, p.sh. ato tumore të cilët përmbajnë sasi të pazakonta kalciumi, ato që ndodhen në zona të vështira për t’u arritur ose ato që pushtojnë indet përreth. Në disa raste, meningioma mund të përsëritet edhe pas heqjes së plotë.