Malformime kavernoze të shtyllës kurrizore
Çfarë është ajo?
Malformimet kavernoze të shtyllës kurrizore, të njohura gjithashtu si keqformime kavernoze të palcës kurrizore ose kavernomë spinale, janë një koleksion jonormal i enëve të vogla të gjakut të quajtura kapilarë. Ato mund të paraqiten kudo në trup dhe në shumë vende janë të padëmshme, por në palcën kurrizore mund të paraqesin problem shëndetësor. Më shumë se gjysma e kavernomave të shtyllës kurrizore ndodhen në palcën kurrizore të kraharorit. Vendndodhja e dytë më e zakonshme është palca cervikale. Kavernomat e palcës kurrizore janë të rralla, duke përfshirë më pak se 5% të lezioneve intramedulare tek të rriturit. Më shpesh paraqiten gjatë dekadës së katërt ndërsa femrat preken më shpesh sesa meshkujt.
Simptomat
Episodet e hemorragjisë së gjakut nga keqformimet kavernoze të shtyllës kurrizore konsiderohen të jenë mekanizmi që bazohet në episodet akute të përkeqësimit neurologjik. Simptomat e zakonshme përfshijnë dhimbje, dobësi, mpirje, ndjesi shpimi gjilpërash ose ngathtësi në ekstremitete. Përshkruhen modele të ndryshme të paraqitjes klinike, me fillime të ndryshme të simptomave, kohëzgjatje, intensitet dhe përfundim të tyre. Simptomat varen nga madhësia, vendndodhja dhe tendenca hemorragjike e keqformimit kavernoz. Mielopatia progresive mund të shkaktohet nga mikro hemorragjitë.
Diagnoza
Malformimet kavernoze të shtyllës kurrizore më së miri vërehen me rezonancë magnetike MRI. Lezionet me hemorragji në palcë mund të shihen edhe me tomografi kompjuterike CT mirëpo me këtë teknikë mundet të mos i shohim dhe diagnostikojmë lezionet më të vogla.
Mjekimi
Reseksioni i hershëm kirurgjik duhet të merret parasysh për të gjithë pacientët simptomatikë përpara se të ndodhin hemorragji të përsëritura ose zmadhimi të lezionit. Intervenimi kirurgjik me mikroskop operativ dhe instrumente shumë të imta, është procedura e zgjedhur për heqjen e keqformimeve kavernoze të shtyllës kurrizore. Zakonisht ato mund të hiqen plotësisht me teknika mikrokirurgjikale.