Lipoma

Çfarë është ajo?

Lipoma është një masë e rrumbullakët e indit të formuar nga yndyrat. Këto tumore beninje mund të formohen kudo në trup.

Lipoma e shtyllës kurrizore është një tumor i përbërë nga indi yndyrorë me vendndodhje në zonën kurrizore. Zakonisht është një masë me rritje të ngadaltë që mund të paraqitet brenda kanalit kurrizor ose në indet e buta për rreth shtyllës kurrizore. Lipomat e palcës kurrizore mund të shfaqen si një tumor i vogël yndyror i lidhur me palcën kurrizore ose si malformime të komplikuara që ndikojnë në tërë sistemin e shtyllës kurrizore. Lipomat mund të lokalizohen në ragjione të ndryshme të shtyllës kurrizore, duke përfshirë zonat e qafës, kraharorit ose të belit.

Lipomat paraqiten në lloje të ndryshme histologjike. Mënyra se si duken indet nën mikroskop i ndihmon mjekët të bëjnë dallimin midis llojeve të ndryshme të këtyre tumoreve, por të gjithë ato kryesisht kanë një pamje të ngjashme klinike.

Simptomat

Lipomat në shtyllën kurrizore zakonisht paraqiten si masë gome, të buta nën lëkurë ose brenda shtresave më të thella. Zakonisht janë pa dhimbje kur i prekim dhe janë me rritje të ngadaltë. Varësisht nga vendndodhja dhe madhësia e tyre, lipomat në shtyllën kurrizore mund të shkaktojnë simptoma të tilla si dhimbje shpine, ngurtësi apo edhe komplikime neurologjike nëse i shtypin nervat në afërsi ose palcën kurrizore.

Diagnoza

Diagnoza e lipomës kurrizore përfshin analizën e historisë mjekësore të pacientit, ekzaminimin fizik dhe inçizimet me imazhe. Teknikat e imazherisë si: skanimet me rreze X, MRI (Imazhe me Rezonancë Magnetike) ose CT (tomografi e kompjuterizuar) mund të ndihmojnë në vizualizimin e lipomës dhe vlerësimin e vendndodhjes, madhësisë dhe ndikimit të saj në strukturat përreth.

Mjekimi

Në të shumtën e rasteve, lipomat në shtyllën kurrizore janë asimptomatike dhe nuk kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Megjithatë, mjekët do të rekomandojnë heqjen me intervenim kirurgjikal atëherë kur lipoma shtyp nervat ose palcën kurrizore, që çojnë në simptoma neurologjike ose komplikime tjera. Gjithashtu, kur lipomat shkaktojnë probleme estetike, mjekët do të konsiderojnë heqjen e tyre, veçanërisht nëse ato ndikojnë në vetëbesimin ose cilësinë e jetës së pacientit.

Një ndër metodat është shtrydhja e yndyrës nga brenda tumorit përmes një prerjeje të vogël në lëkurë. Pacientët zakonisht janë nën anestezi lokale gjatë kësaj procedure dhe shkojnë në shtëpi të njëjtën ditë. Nëse lipoma është e madhe, kirurgut mund t’i duhet të bëjë një prerje më të madhe për ta hequr atë plotësisht. Mjekët gjithashtu mund t’i heqin këto tumore me liposuksion. Për ta bërë këtë, mjeku duhet të presë gungën dhe të fusë një tub të hollë dhe të zbrazët përmes prerjes. Më pas  ky tub përdoret për të thithur shumicën e qelizave yndyrore nga trupi i tumorit.