Korpektomia cervikale
Çfarë është ajo?
Korpektomia cervikale është procedurë kirurgjikale që përfshin heqjen e trupit të unazës, së bashku me disqet ndërvertebrale ngjitur, për dekompresimin e palcës kurrizore të qafës dhe rrënjëve nervore. Kjo procedurë zakonisht indikohet në rastet kur kompresimi i palcës kurrizore shkaktohet nga spondiloza cervikale në shumë nivele, nga tumoret, frakturat ose infeksionet, që një diskektomi e thjeshtë nuk mund t’i trajtojë në mënyrë adekuate.
Suksesi i korpektomisë cervikale varet kryesisht nga përzgjedhja e kujdesshme e pacientit, teknika e përpiktë kirurgjikale dhe rehabilitimi efektiv pas operacionit.
Shumica e pacientëve përjetojnë përmirësime të ndjeshme në simptomat neurologjike pas operacionit. Megjithatë, mund të ndodhin komplikime të mundshme si zhvendosja e graftit, mosbashkimi dhe sëmundja e segmentit ngjitur
Procedura
Procedura kryhet me qasje anteriore, e ngjashme me atë të përdorur në diskektominë cervikale të përparme dhe fuzionimit. Pas një diseksioni të kujdesshëm për të ekspozuar shtyllën kurrizore të qafës, kirurgu heq trupin e prekur të unazës (ose trupat e unazave) dhe disqet ngjitur.
Rikonstruimi i shtyllës kurrizore është i nevojshëm për të ruajtur shtrirjen dhe stabilitetin e qafës pas një korpektomie. Kjo zakonisht arrihet duke vendosur një graft strukturor (autograft, alograft ose një “cage” sintetik) në defektin e krijuar pas korpektomisë, pastaj vendoset pllaka e përparmë për një stabilitet të shtuar. Zgjedhja e graftit dhe teknika e fiksimit varen nga faktorë të ndryshëm duke përfshirë edhe madhësinë e rezeksionit, cilësinë e kockave të pacientit dhe preferencën e kirurgut.
Korpektomia e qafës është teknikisht kërkuese për shkak të nevojës për heqje të saktë të trupit vertebral duke mbrojtur palcën kurrizore dhe rrënjët nervore. Neuromonitorimi intraoperativ shpesh përdoret për të siguruar integritetin nervor. Procedura gjithashtu përfshin edhe rreziqe përshkak të afërsisë së operimit pranë strukturave kryesore vaskulare dhe nervore, duke përfshirë arterien karotide, venën jugulare dhe nervat e laringut.