Kifoplastika

Çfarë është ajo?

Kifoplastika është procedurë kirurgjikale minimalisht invazive që përdoret për të trajtuar frakturat kompresive vertebrale (VCF) në shtyllën kurrizore. Këto fraktura zakonisht shkaktohen nga osteoporoza, trauma ose kushte të tjera mjekësore. Ato mund të shkaktojnë dhimbje të forta, lëvizshmëri të kufizuar dhe ulje të cilësisë së jetës. Kifoplastika është një zgjidhje efikase për të lehtësuar dhimbjen, për të rivendosur lartësinë vertebrale dhe për të përmirësuar mirëqenien e përgjithshme të pacientëve që vuajnë nga frakturat kompresive vertebrale.

Para procedurës, pacienti i nënshtrohet një vlerësimi të plotë të historisë së tij mjekësore, kontrollave imazherike të tilla si rrezet X ose MRI dhe ekzaminimit fizik që të konfirmohet diagnoza e një frakture kompresive vertebrale dhe për të përcaktuar vendndodhjen dhe ashpërsinë e saj.

Procedura

Gjatë procedurës, administrohet anestezi lokale për të mpirë zonën rreth unazave të prekura, duke i siguruar pacientit rehati gjatë gjithë procedurës. Disa pacientëve gjithashtu mund tu administrohen qetësues të lehtë. Fluoroskopia me rreze X drejton futjen e instrumenteve të specializuara dhe monitoron procedurën në kohë reale. Kjo siguron vendosjen e saktë të instrumenteve dhe futjen e çimentos kockore.

Së pari, bëhet një prerje e vogël pranë vertebrës së prekur dhe përmes asaj prerje futet një gjilpërë e zbrazët dhe drejtohet me shumë kujdes në zonën e frakturës. Një pajisje e vogël si balonë futet përmes gjilpërës në trupin e thyer vertebral, dhe fryhet ngadalë. Ky hap synon të rivendosë lartësinë e unazës duke krijuar një boshllëk brenda kockës së komprimuar. Pasi të arrihet lartësia vertebrale e dëshiruar, balona shfryhet dhe hiqet, dhe boshllëku mbushet me çimento kockore. Çimentoja ngurtësohet me shpejtësi, duke stabilizuar unazën e thyer dhe duke parandaluar kolapsin e saj.

Kifoplastika është shumë efektive në lehtësimin e dhimbjeve të forta të lidhura me frakturat kompresive vertebrale. Pacientët shpesh përjetojnë lehtësim të menjëhershëm ose një reduktim të ndjeshëm të dhimbjes pas procedurës. Rivendosja e lartësisë vertebrale ndihmon në korrigjimin e deformimit të shkaktuar nga fraktura kompresive, duke çuar tek shtrirja më e mirë e shtyllës kurrizore dhe duke reduktuar rrezikun e frakturave të ardhshme. Pacientët zakonisht përfitojnë lëvizshmëri të përmirësuar dhe një kthim më të shpejtë në aktivitetet e tyre të përditshme pas kifoplastikës.

Kifoplastika është një procedurë minimalisht invazive që përfshin prerje të vogla dhe dëmtime minimale të indeve. Kjo çon në qëndrim më të shkurtër në spital, kohë më të shpejtë rikuperimi dhe ulje të rrezikut nga komplikimet në krahasim me operacionet tradicionale të hapura. Ka një shkallë relativisht të ulët të komplikimeve, duke e bërë atë një opsion të sigurt për shumë pacientë, përfshirë edhe ata që nuk janë kandidatë për procedura më invazive të shtyllës kurrizore.