Hiperostoza skeletore difuze idiopatike

Çfarë është ajo?

Hiperostoza skeletore difuze idiopatike (DISH) ose sëmundja e Forestierit, e njohur gjithashtu si hiperostoza ankilozuese, është një çrregullim joinflamator i karakterizuar me kalcifikim dhe ngurtësim të tendinave dhe ligamenteve në pjesën ku ngjiten për shtyllën kurrizore. Megjithëse shkaqet e sëmundjes janë të paqarta, janë disa faktorë  të lidhur me zhvillimin e kësaj gjendjeje. Këta faktorë rreziku përfshijnë:

  • Mosha mbi 50 vjeç.
  • Gjendjet metabolike, si diabetes mellitus, akromegalia dhe obeziteti.
  • Faktorët gjenetikë, si predispozita gjenetike.

Simptomat

Shumë njerëz nuk kanë simptoma të qarta, por që kur ato shfaqen janë si vijon:

  • Ngurtësi dhe diapazon i kufizuar i lëvizjeve në shpinë.
  • Dhimbje, veçanërisht në pjesën cervikale ose torakale të shpinës .
  • Mpirje ose shpuarje si me gjilpërë në këmbë si pasojë e nervave të shtypura në pjesën e poshtme të shpinës.
  • Paralizë, si pasojë e palcës kurrizore të ngjeshur.

Diagnoza

Zakonisht diagnoza përcaktohet duke u bazuar në shenjat dhe simptomat e pranishme. Gjithashtu, kryhen edhe teste të ndryshme për të përjashtuar sëmundjet tjera. Këto teste përfshijnë: radiografi me rreze X, tomografi të kompjuterizuar (CT), skanim me rezonancë magnetike (MRI).

Mjekimi

Hiperostoza skeletore difuze idiopatike (DISH), nuk mund të shërohet tërësisht, por disa trajtime jokirurgjikale janë efektive dhe mund të ndihmojnë në uljen e dukshme të simptomave:

  • Ushtrime dhe terapi fizikale.
  • Kontrolli i peshës dhe sheqerit në gjak.
  • Lehtësues dhimbjesh.
  • Injeksione kortikosteroide.

Intervenim kirurgjik mund të rekomandohet nëse hiperostoza skeletore difuze idiopatike ka shkaktuar komprimim të palcës kurrizore dhe rrënjëve nervore, edhe atë me ndonjërën nga procedurat e mëposhtme:

  • Laminektomia, procedurë që heq një pjesë të laminës për të krijuar më shumë hapësirë.
  • Laminoplastika, procedurë që krijon më shumë hapësirë për palcën kurrizore dhe rrënjët nervore për të lehtësuar presionin jonormal në palcën kurrizore.
  • Korpektomia, kur hiqet i gjithë ose një pjesë e trupit të unazës vertebrale, zakonisht si mënyrë për të dekompresuar palcën kurrizore dhe nervat.
  • Diskektomia, ku hiqet materiali jonormal i diskut që shtyp rrënjën nervore ose palcën kurrizore.
  • Fusioni spinal, procedurë kur dy ose më shumë unaza bashkohen për ta bërë shtyllën kurrizore më të qëndrueshme.​