Hernia diskale
Çfarë është ajo?
Hernia diskale është gjendje që ndodh kur, një pjesë e diskut të shtyllës kurrizore del jashtë ose këputet dhe rrëshqet nga vendi i tij, duke bërë shtypje ndaj një nervi kurrizor. Kjo mund të shkaktojë simptoma si dhimbje në këmbë, dobësi në këmbë, mpirje në këmbë dhe dhimbje në pjesën e belit.
Degjenerimi i disqeve është proces natyror i plakjes, i cili karakterizohet me dehidratimin ose tharjen e materialit të diskut me çka zvogëlon fleksibilitetin dhe lartësinë e diskut. Gjatë degjenerimit, disqet humbasin elasticitetin e tyre dhe muri mbajtës rreth diskut fillon të plasaritet ose çahet. Pjesët e diskut të përkeqësuar më pas mund të dalin jashtë, duke shkaktuar një ose më shumë simptoma të hernies diskale.
Edhe pse hernia diskale mund të ndodhë në çdo nivel të shtyllës kurrizore, ato më shumë i hasim në pjesën lumbale dhe cervikale të shtyllës kurrizore.
Simptomat
Simptoma tipike e një hernie diskale është dhimbja që përshkon nga pjesa lumbale e shpinës – beli drejt poshtë këmbëve, e njohur si nervi shiatik. Përveç dhimbjes, këmba mund të jetë e dobët ose e mpirë. Në rastet më të vështira, mund të ndikohen të dy këmbët, poashtu dhe funksioni i zorrëve ose i fshikëzës urinare. Shumica e pacientëve me hernie diskale gjithashtu përjetojnë dhimbje në bel.
Diagnoza
Diagnoza zakonisht konfirmohet me MRI dhe/ose CT mielografi.
Mjekimi
Shumica e hernieve diskale zgjidhen pa asnjë trajtim. Për herniet që zgjasin më shumë, trajtimi fillon me medikamente anti-inflamatore dhe terapi fizikale. Nëse simptomat vazhdojnë, mund të rekomandohen injeksione steroide epidurale. Nëse metodat jokirurgjikale nuk ofrojnë lehtësim, kirurgjia e mikrodisksektomisë lumbale në shumicën e rasteve ofron lehtësim të shkëlqyer.