Fusioni interkorporal posterior lumbal (PLIF)
Çfarë është ajo?
Fusioni interkorporal posterior lumbal (anglisht: Posterior Lumbar Interbody Fusion – PLIF) është një lloj operacioni specifik i fusionimit të shtyllës kurrizore i fokusuar në regjonin lumbal (në pjesën e poshtme të shpinës) të shtyllës kurrizore. Përdoret kryesisht për trajtimin e gjendjeve që shkaktojnë paqëndrueshmëri ose dhimbje të konsiderueshme në shtyllën kurrizore lumbale, të tilla si sëmundja degjenerative e diskut, spondilolisteza (gjendje ku një unazë rrëshqet mbi unazën ngjitur), stenozë spinale (ngushtim i kanalit kurrizor) ose hernie diskale.
Pacientët që janë kandidatë për PLIF shpesh kanë dhimbje kronike të shpinës për shkak të paqëndrueshmërisë ose degjenerimit të shtyllës kurrizore lumbale dhe nuk janë përgjigjur në mënyrë adekuate ndaj trajtimeve konservative si terapi fizikale, medikamente kundër dhimbjeve ose injeksione.
Shërimi nga PLIF përfshin qëndrim në spital dhe një periudhë rehabilitimi, e cila përfshin terapi fizikale për të forcuar shtyllën kurrizore dhe për të përmirësuar lëvizshmërinë.
Fusionimi i shtyllës kurrizore është një proces gradual që mund të zgjasë disa muaj për t’u përfunduar. Gjatë kësaj periudhe, pacientët mund të kenë nevojë të shmangin disa aktivitete të vështira për të siguruar shërim të suksesshëm.
Procedura
Gjatë PLIF, kirurgu i qaset shtyllës kurrizore nga pjesa e pasme (posteriore). Kjo qasje përfshin heqjen e disqeve të degjeneruara që po shkaktojnë dhimbje dhe zëvendësimin e tyre me një transplant kockor ose një kafaz sintetik. Ky implant, i vendosur në hapësirën ku dikur ishte disku, inkurajon rritjen e kockave midis unazave ngjitur, duke çuar përfundimisht në fusionimin e tyre në një njësi të vetme dhe të ngurtë. Procesi i fusionimit zakonisht mbështetet nga futja e shufrave dhe vidhave në unaza, gjë që ndihmon në stabilizimin e shtyllës kurrizore menjëherë pas operacionit dhe siguron shtrirjen e duhur deri sa të ndodh fusionimi i kockave.
Duke stabilizuar shtyllën kurrizore dhe duke eliminuar lëvizjen e unazave të dëmtuara, PLIF mund të reduktojë ndjeshëm dhimbjen e shpinës. Procedura gjithashtu mund të korrigjojë ose parandalojë përparimin e mëtejshëm të deformimeve të shtyllës kurrizore, duke përmirësuar qëndrimin dhe cilësinë e jetës së pacientit.