Ependimoma e shtyllës kurrizore

Çfarë është ajo?

Ependimomat përfaqësojnë një grup relativisht të gjerë të tumoreve gliale që më së shpeshti lindin nga mukoza e dhomave të trurit ose nga kanali qendror i palcës kurrizore. Tumoret ependimale mund të ndodhin kudo brenda sistemit nervor. Ependimomat e shtyllës kurrizore janë tumori më i zakonshëm i palcës kurrizore në përgjithësi, të cilat shfaqen si  te popullata e rritur ashtu edhe tek fëmijët. Për më tepër, ato janë neoplazmat intramedulare më të zakonshme tek të rriturit dhe e dyta më e zakonshme në popullatën pediatrike. Ependimomat mund të shfaqen kudo përgjatë palcës kurrizore, megjithatë, palca cervikale është vendi më i zakonshëm. Incidenca maksimale është në dekadën e katërt. Meshkujt preken më shpesh se femrat.

Simptomat

Simptomat janë të ngjashme me ato të tumoreve të tjera intramedulare të shtyllës kurrizore, me dhimbje, dobësi dhe ndryshime shqisore. Simptomat ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme për sa i përket fillimit dhe përparimit.

Diagnostifikimi

Derisa tomografia e kompjuterizuar CT mund të jetë e dobishme, MRI është modaliteti i zgjedhur për vlerësimin e tumoreve të dyshuar të palcës kurrizore. Ndonjëherë ato kryhen me aplikim intravenoz të kontrastit.

Mjekimi

Për shkak të natyrës me rritje të ngadaltë të tumoreve intramedulare, prania e thjeshtë e një ependimoma nuk është domosdoshmërisht një tregues për trajtim urgjent. Nëse tumori është i vogël dhe nuk ushtron presion në palcën kurrizore përreth, ai thjesht mund vetëm të ndiqet. Për tumoret më të mëdhenj, ose ato tumore që shkaktojnë simptoma, rekomandohet trajtimi për heqjen e tumorit, dhe mikrokirurgjia është trajtimi i zgjedhur për shumicën e pacientëve. Është një procedurë ku kirurgu përdor mikroskop kirurgjik dhe instrumente shumë të imëta për të ekspozuar dhe hequr tumorin. Një laminektomi, ose heqja e një pjese të pjesës së pasme të shtyllës kurrizore, kryhet për të hyrë në kanalin kurrizor. Ependimomat zakonisht janë të përcaktuara mirë dhe mund të ndahen nga palca kurrizore përreth.