Dhimbja në qafë
Çfarë është ajo?
Dhimbja në qafë mund të jetë e lokalizuar, ose mund të përhapet në njërin ose të dy krahët. Kjo është gjendje e zakonshme, e lidhur kryesisht me qëndrimin e keq të trupit në kombinim me konsumimin e lindeve gjatë jetës, por mund të ndodhë edhe nga një sërë çrregullimesh ose sëmundjesh që përfshijnë ndonjë nga indet në qafë. Shpina e qafës (cervikale) përbëhet nga shtatë kocka (unaza C1-C7), të cilat ndahen nga njëra-tjetra me disqe ndërvertebrale, duke lejuar shtyllën kurrizore të lëvizë lirshëm. Tendosja e muskujve, nyjet e konsumuara, kompresioni i nervave, lëndime dhe sëmundje të caktuara si artriti reumatoid, meningjiti ose kanceri janë vetëm disa nga shkaktarët e paraqitjes së dhimbjes në qafë.
Simptomat
Dhimbja në qafë manifestohet si në mënyrat e mëposhtme:
- Dhimbje që shpesh përkeqësohet duke mbajtur kokën në një pozitë për periudha të gjata
- Shtrëngimi i muskujve dhe spazma
- Zvogëlimi i aftësisë për ta lëvizur kokën
- Kokëdhimbja
Diagnoza
Shumica e problemeve me qafën mund të diagnostikohen dhe trajtohen duke u bazuar në simptomat dhe ekzaminim fizik nga mjeku. Ndonjëherë, mjeku mund të kërkojë radiografi, analiza gjaku, elektromiografi (EMG) ose skanim me rezonancë magnetike MRI, për të përjashtuar shkaqet e tjera të dhimbjes në qafë.
Mjekimi
Llojet e zakonshme të dhimbjeve të lehtë deri në ato mesatare zakonisht përgjigjen shumë mirë brenda dy ose tre javësh ndaj trajtimit me medikamente qetësuese dhe masave të vetë-kujdesit. Ka shumë mënyra për të lehtësuar dhimbjen e qafës:
- marrja e ilaçeve për qetësimin e dhimbjeve
- vendosja e kompresave të nxehta ose të ftohta në qafë
- shmangia e sporteve me kontakt dhe ngritjes së rëndë në peshë
- duke bërë shtrirje të buta të qafës
- duke mbajtur qëndrim të mirë të trupit
- duke bërë ushtrime të lehta
- përdorimi i jastëkëve mbështetës të qafës gjatë gjumit
Intervenimi kirurgjik për lehtësimin e dhimbjeve të qafës zakonisht kryhet për një nga ose më shumë arsyet e mëposhtme:
- Për të dekompresuar rrënjën nervore
- Për të dekompresuar palcën kurrizore
- Për të stabilizuar shtyllën kurrizore cervikale
Nëse testet diagnostikuese nuk mund të konfirmojnë për arsyen e dhimbjes në qafë, operacioni nuk ka gjasa të ndihmojë dhe nuk rekomandohet. Dy opsionet më të zakonshme për intervenim kirurgjik janë diskektomia e përparme e qafës dhe fusioni si dhe zëvendësimi i diskut artificial.