Dermoidi dhe epidermoidi
Çfarë është ajo?
Cistat dermoide dhe epidermoide janë rritje beninje në shtyllën kurrizore. Edhe pse nuk janë kancerogjene dhe nuk përhapen, ato mund të shtypin struktura të rëndësishme si palcën kurrizore ose nervat e shtyllës kurrizore dhe përfundimisht mund të plasin. Prandaj, kur cistat hasen në shtyllën kurrizore hiqen me intevenim kirurgjikal.
Cistat dermoide dhe epidermoide përmbajnë material me origjinë të lëkurës tonë. Të dyja janë të veshura me një shtresë lëkure që në mënyrë natyrale hedh qelizat e vdekura. Por në vend që të largohen në pjesën e jashtme të trupit ato grumbullohen brenda cistës. Në këtë mënyrë cistat zgjerohen gradualisht.
Cistat dermoide dhe epidermoide dallojnë nga përmbajtja e tyre. Derisa, cistat epidermoide janë të veshura me qeliza të thjeshta të lëkurës dhe përmbajnë vetëm produktet e qelizave të lëkurës, si proteina keratin, cistat dermoide përmbajnë qeliza të lëkurës, produktet e tyre si dhe shumë përbërës tjerë të lëkurës, si folikule të qimeve, flokë ose gjëndrat e djersës, por edhe material tjetër si material të dhëmbëve, vaji ose gjaku.
Simptomat
Në shtyllën kurrizore, kur rriten dhe bëjnë shtypje strukturat e afërta, këto cista zakonisht shkaktojnë simptoma si dobësi, ngathtësi, probleme me ecjen dhe inkontinim. Simptomat e sakta varen nga madhësia dhe vendndodhja e cistës.
Diagnoza
Cistat dermoide dhe epidermoide të shtyllës kurrizore mund të shihen me rezonancë magnetike (MRI) dhe tomografi të kompjuterizuar (CT).
Mjekimi
Heqja mikrokirurgjike, kur kirurgu përdor një mikroskop kirurgjik dhe instrumente shumë të imta për të ekspozuar dhe hequr cistën, është trajtimi më i përzgjedhur për shumicën e cistave të shtyllës kurrizore. Procedura kryhet nën anestezi të plotë me pacientin e pozicionuar me fytyrë poshtë.
Heqja e një pjese të pjesës së pasme të shtyllës kurrizore procedurë kjo e njohur si laminektomi, bëhet që të fitojmë qasje në kanalin kurrizor. Qëllimi i procedurës është heqja e plotë e cistës.