Çrregullime inflamatore të shtyllës kurrizore

Çfarë është ajo?

Çrregullimet inflamatore të shtyllës kurrizore mund të rrjedhin nga kushte të ndryshme, si artriti, osteoporoza dhe infeksioni. Edhe pse inflamacioni i shtyllës kurrizore është i pazakontë, ai mund të jetë një burim i rëndësishëm dhimbjeje dhe invaliditeti, veçanërisht nëse këto kushte që janë vështirë për t’u diagnostikuar nuk trajtohen.

Një nga çrregullimet inflamatore më të zakonshme të shtyllës kurrizore është spondiliti ankilozant, një formë e artritit në shtyllën kurrizore. Burime tjera të inflamacionit të shtyllës kurrizore përfshijnë arachnoiditis – infeksion i membranës që rrethon palcën kurrizore, discitis – infeksion në hapësirën midis unazave dhe sakroilitis – inflamacion i artikulacionit sakroiliak.

Spondiliti ankilozant karakterizohet me inflamacion në zonat ku indet e buta (ligamentet dhe tendinat) lidhen në kockë. Inflamacioni fillon në pjesën e poshtme të shpinës dhe artikulacionin sakroiliak, gjë që shkakton gërryerjen e një pjese të indeve. Kur inflamacioni pushon, në vend të saj mund të rritet kockë e re. Ky cikël progresiv i rritjes kockore kufizon lëvizjen dhe mund të rezultojë në bashkim të plotë midis dy kockave.

Në pacientët me infeksion, shkaku i inflamacionit është i dukshëm. Megjithatë, origjina e spondilitit ankilozant është e panjohur, megjithëse dihet se ka një komponent të fuqishme gjenetike.

Simptomat

Inflamacioni i shtyllës kurrizore çon në dhimbje shpine te pacientët. Infeksionet mund të shkaktojnë dhimbje të forta dhe simptoma të tjera si ethe dhe lodhje e shpejtë. Spondiliti ankilozant, formë tjetër kjo e inflamacionit të shtyllës kurrizore, shkakton dhimbje të ngadalta, ngurtësi në mëngjes dhe një qëndrim të përkulur. Ënjtja dhe dhimbja mund të përhapen në nyje të tjera dhe të prekin zemrën, mushkëritë dhe sytë.

Diagnoza

Kur diagnostikojnë çrregullime inflamatore të shtyllës kurrizore, mjekët zakonisht fillojnë me  ekzaminim fizik dhe analiza gjaku për të kontrolluar për infeksione ose inflamacion. Radiografia me rrezet X gjithashtu, përdoren për të kontrolluar ndryshimet në shtyllën kurrizore. Përveç kësaj, pacientët me spondilit ankilozant mund t’i nënshtrohen testimit gjenetik, pasi një gjen specifik (HLA-B27) është identifikuar në 90% të pacientëve me këtë gjendje.

Mjekimi

Trajtimi për një çrregullim inflamator të shtyllës kurrizore ndryshon në varësi të shkakut të tij. Nëse infeksioni shkakton inflamacion, trajtimi mund të përfshijë antibiotikë, pushim dhe mbajtje të protezës. Për pacientët me spondilit ankilozant, shpesh përshkruhen medikamente anti-inflamatore dhe relaksues të muskujve për të menaxhuar dhimbjen dhe për të përmirësuar qëndrimin. Operacioni ndonjëherë mund të jetë i nevojshëm për të hequr rritjet kockore dhe për të zvogëluar presionin në nyjet e dhimbshme. Një përqindje e vogël e këtyre pacientëve mund të kenë nevojë për një zëvendësim të kyçit të kofshës.