Artriti reumatoid
Çfarë është ajo?
Artriti reumatoid është gjendje autoimune inflamatore kronike, kur sistemi imunitar gabimisht synon dhe sulmon indet e trupit, gjë që rezulton në inflamacion kronik që shkakton dëme në inde të ndryshme në trup. Shtylla kurrizore shpesh është në shënjestër, zakonisht në regjionin e qafës, ku mund të shkaktojë dy lloje kryesore të anomalive në pjesën cervikale të shpinës:
- Paqëndrueshmëria atlantoaksiale është anomalia e zakonshme që paraqitet te artriti reumatoid. Lidhja atlantoaksiale është nyja midis dy kockave ose unazave të para të qafës, të quajtur atlas dhe aksis. Kjo anomali rezulton në shtrembërimin e këtyre dy vertebrave të qafës.
- Subluksacioni subaksial që rezulton me shtypjen e palcës kurrizore.
Simptomat
Simptomat e artritit reumatoid të shtyllës së qafës mund të ndryshojnë në varësi të llojit dhe ashpërsisë së anomalisë së shkaktuar dhe mund të përfshijnë dhimbje në qafë, ngurtësim të qafës, marramendje, dhimbje në fytyrë, dobësi ose mpirje në këmbë dhe krahë, vështirësi në ecje dhe vështirësi gjatë gëlltitjes.
Diagnoza
Mjekët zakonisht diagnostikojnë artritin reumatoid duke u bazuar në historinë e detajuar mjekësore të pacientëve dhe ekzaminimin fizik përfshirë testet e gjakut, rrezet X, skanimet CT dhe MRI.
Mjekimi
Trajtimi fokusohet kryesisht në parandalimin e komplikimeve serioze. Shumica e pacientëve mund të menaxhohen me trajtim konservativ, i cili në përgjithësi përfshin marrjen e medikamenteve anti-inflamatore josteroidale, kortikosteroidet dhe antireumatike. Trajtimet tjera jokirurgjikale përfshijnë mbajtjen e jakës për qafë dhe terapi fizikale.
Kirurgjia mund të ndihmojë në lehtësimin e presionit mbi nervat, trurin ose palcën kurrizore dhe për të siguruar stabilizimin e shtyllës kurrizore te njerëzit me artrit reumatoid. Përdoren procedura të ndryshme kirurgjikale të shtyllës kurrizore:
- Fusioni spinal është procedurë kirurgjikale që mund të përdoret për të korrigjuar deformimin e shtyllës kurrizore dhe për të siguruar stabilitet të përhershëm të shtyllës kurrizore.
- Stabilizimi i shtyllës kurrizore me fusion është një procedurë kirurgjikale ku transplanti kockor përdoret për të krijuar një mjedis që kockat në shtyllën kurrizore të bashkohen me kalimin e kohës, duke ndaluar kështu lëvizjen midis unazave dhe duke siguruar stabilitet afatgjatë.