Osteoblastomat
Çfarë është ajo?
Osteoblastomat janë tumore beninje, lokalisht agresive të indit kockor që zakonisht ndodhen në elementet e pasme të shtyllës kurrizore. Ato përbëjnë rreth 1% të të gjithë tumoreve parësore të kockave dhe 10% të të gjitha neoplazmave të shtyllës kurrizore. Krahasuar me vëllanë e tyre histologjik, osteomën osteoide, ata janë më të mëdhenj (>2 cm) dhe prekin më shpesh shtyllën kurrizore. Pacientët zakonisht paraqiten rreth dekadës së dytë deri në dekadën e tretë të jetës, me çka meshkujt afërsisht dy herë janë më të prekur se sa femrat. Osteoblastomat zakonisht janë tumore të përcaktuara mirë makroskopikisht.
Simptomat
Osteoblastomat zakonisht shfaqen me dhimbje të shurdhër që përkeqësohet natën, dhe me përgjigje të dobët ndaj terapisë me analgetikë. Zona e prekur është e fryrë në mënyrë karakteristike dhe e ndjeshme me ulje të gamës së lëvizjeve dhe me spazma muskulore.
Diagnoza
Osteoblastoma e shtyllës kurrizore shpesh shfaqet me skoliozë të dhimbshme ose simptoma neurologjike. Përveç marrjes së historisë së plotë mjekësore dhe kryerjes të ekzaminimit të plotë fizik, mjeku do të përdorë kombinimin e testeve të mëposhtme për të diagnostikuar osteoblastomën si: radiografi me rrezet X, skanim tomografik të kompjuterizuar (CT), rezonancë magnetike (MRI) dhe skanimin e kockave.
Mjekimi
Trajtimi i osteoblastomës është kirurgjik me përzgjedhjen e procedurave në varësi të karakteristikave makroskopike dhe mikroskopike të tumorit. Në shumicën e rasteve, kyretazhi intralezional mund të kryhet në kombinim me krioterapinë. Ekcizioni kirurgjik shoqërohet me shkallë më të ulët të përsëritjes, megjithatë, duhet të bëhet brenda një intervali kohor shumë të shkurtër pas vendosjes së diagnozës për të shmangur furnizimin kolateral me gjak të osteoblastomës, sepse, përndryshe këto lezione janë të prirura për gjakderdhje të gjerë gjatë operacionit.