Tumori gjigantoqelizorë
Çfarë është ajo?
Tumori gjigantoqelizorë (GCT) i kockave është një tumor beninj që zakonisht ndodh pranë nyjeve të gjurit, kyçit të dorës, shpatullave ose shtyllës kurrizore. Shtylla kurrizore përbëhet nga kocka të quajtura unaza. Tumoret me qeliza gjigante mund të zhvillohen në çdo nivel të shtyllës kurrizore – në pjesën e qafës, pjesën torakale, pjesën lumbale ose pjesën sakrale. Ky lloj i tumorit më i zakonshëm është tek femrat sesa tek meshkujt dhe më shpesh paraqitet në dekadën e tretë dhe të katërt të jetës.
Simptomat
Një simptomë e zakonshme e tumoreve me qeliza gjigante të shtyllës kurrizore është dhimbja në vendin e tumorit. Simptoma të tjera shfaqen nëse tumori shtyp palcën kurrizore ose nervat. Nëse është në sakrum, tumori mund të shkaktojë inkontinencë të zorrëve ose fshikëzës, dobësim të këmbëve ose disfunksion seksual. Në nivelet tjera të shtyllës kurrizore, simptomat ndryshojnë në varësi nga vendndodhja dhe madhësia e tumorit. Këto mund të përfshijnë dobësim të krahëve, mpirje, ndjesi shpimi gjilpërash në krahë dhe këmbë ose mosfunksionim të zorrëve ose fshikëzës. Rrallëherë, tumori mund të dobësojë unazën e shtyllës kurrizore deri në atë pikë që unaza të çahet pas një traume relativisht të vogël.
Diagnoza
Tumoret me qeliza gjigante mund të identifikohen me anë të disa lloje skanimesh imazherike: radiografi me rreze X, skanimi me rezonancë magnetike (MR), tomografi të kompjuterizuar (CT). Biopsia me gjilpërë e udhëhequr me CT mund të ndihmojë në konfirmimin e diagnozës.
Mjekimi
Heqja e plotë e tumorit me intervenim kirurgjikal jep mundësinë më të mirë për të shmangur paraqitjen e recidivit, dhe është trajtimi më i zgjedhur për tumoret me qeliza gjigante saherë që është e mundur. Në varësi të vendndodhjes së tumorit, opsionet kirurgjikale përfshijnë:
Korpektomia anteriore e qafës
Laminektomia e qafës
Korpektomia torakale
Laminektomia torakale
Laminektomia lumbale
Korpektomia lumbale
Heqja mikrokirurgjikale e tumorit
Fusioni i shtyllës kurrizore dhe stabilizimi me implante metalike shpesh kryhen pas heqjes së plotë të tumorit.