Kondroma
Çfarë është ajo?
Kondromat janë tumore shumë të rralla, me rritje të ngadaltë që lindin nga pjesët kërcore të eshtrave. Këto tumore beninje përbëhen nga kërci i pjekur, që është ind lidhor fleksibël dhe mbron skajet e kockave ku ato lidhen dhe formojnë nyje.
Ekzistojnë dy lloje të kondromave, kondromat periosteale dhe kondromat e indeve të buta, varësisht nga vendi ku gjenden në kockë.
Frekuenca e kondromave është 5% nga të gjitha tumoret e kockave dhe vetëm 2% deri në 4% nga të gjitha tumoret e shtyllës kurrizore. Ky tumor paraqitet dy herë më shumë te burrat sesa te gratë. Shtylla e qafës është vendndodhja dominuese e shfaqjes së kondromës kurrizore. Shkaku i kondromave periosteale dhe kondromave të indeve të buta është i panjohur. Gjithashtu, nuk ekzistojnë edhe faktorë të njohur rreziku për këto tumore jo kanceroze.
Simptomat
Ashtu si edhe me tumoret e tjera intraspinale, kondromat mund të manifestohen me shenja të shtypjes së rrënjëve nervore të vetme ose të shumëfishta. Dhimbja e belit e shoqëruar me dhimbje radikulare është manifestimi klinik më i zakonshëm. Rrallëherë, pacientët mund të përjetojnë mosfunksionim të zorrëve ose fshikëzës. Gjithashtu, kondromat e shtyllës kurrizore mund të manifestohen si një masë e prekshme në zonën e boshtit kurrizor.
Diagnoza
Gjatë ekzaminimit fizik, mjeku kërkon se ku ka ndjeshmëri të dhimbshme, ënjtje dhe masë në zonën e shfaqjes së simptomave. Për të diagnostikuar me saktësi llojin e kondromës, e nevojshme është që të bëhet radiografi, skanime CT, MRI ndonjëherë edhe biopsi.
Trajtimi
Kondromat mund të hiqen në mënyrë kirurgjikale. Këto tumore rrallë kthehen pas heqjes dhe nuk nevojitet trajtim shtesë. Shumica e pacientëve trajtohen me rezeksion kirurgjik të tumorit, i kryer përmes disa teknikave. Procedura më e zakonshme është hemilaminektomia e një ose disa niveleve në varësi të shtrirjes së lezionit, e ndjekur pastaj me heqjen e tumorit. Gjatë operacionit, tumori zakonisht është i butë dhe nuk është i ngjitur me dura mater, kështu që diseksioni dhe heqja e tij zakonisht nuk është e komplikuar.
Pas operacionit, pacientët tregojnë një shkallë të dukshme të përmirësimit.